Asambleja e Përgjithshme – Zgjedhore e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, zhvilloi punimet e saj ditën e shtunë, datë 24 shtator 2022 në Tiranë, në sallën e konferencave të Ministrisë së Drejtësisë.

Asambleja i zhvilloi punimet për disa orë, me një pjesëmarrje të gjerë prej 125 përmbaruesish nga 144 (aktivë), në një atmosferë debati dhe diskutimesh të karakterit profesional mbi çështje statutore, të profesionit dhe vendimmarrjes, që lidhen me politikat e përgjithshme të Dhomës. 

Procesi zgjedhor për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të DHKPGJP-së, për periudhën 2022-2026, mori një pjesë të rëndësishme të kohës dhe vëmendjes së anëtarësisë prezente në mbledhje. Ai u karakterizua nga një standard i ri vetorganizimi, korrektese dhe respekti mes përmbaruesve kandidatë për drejtimin e Dhomës.

 

Punimet e Asamblesë i përshëndeti Zëvendësministri i Drejtësisë, z. Klajd Karameta dhe u ndoqën përgjatë gjithë zhvillimit të saj, nga Sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Drejtësisë, z. Ismail Shehu. 

Dy vendimmarrjet më të rëndësishme të Asamblesë së 24 shtatorit 2022 ishin:

  1. Autorizimi i lëshuar nga Asambleja për bërjen e kërkesës para Gjykatës Kushtetuese dhe goditjen për antikushtetutshmëri të aktit – Udhëzim i përbashkët nr. 17, datë 20.6.2022, të ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Brendshëm “Për përcaktimin e uniformitetit minimal të standardeve procedurale për mbledhjen e detyrimeve të taksave e tarifave vendore”;
  2. Vendimi për t’iu drejtuar unanimisht dhe përfundimisht, në formë zyrtare, kryeministrit, ministrit të Drejtësisë dhe Kuvendit të Republikës së Shqipërisë, për miratimin e menjëhershëm të akteve të nevojshme që mundësojnë efektivisht ofrimin e veprimtarive dytësore të njohura me ligjin nr. 26/2019, nga shërbimi përmbarimor gjyqësor shqiptar.

Procesi zgjedhor, si një nga pikat e rëndësishme të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme Zgjedhore, u zhvillua sipas procedurës me votim të fshehtë për të gjitha organet drejtuese të Dhomës, ku u zgjodhën kryetari i Dhomës, nënkryetari, sekretari i Përgjithshëm dhe 7 (shtatë) anëtarët e Këshillit Drejtues. 

Në përfundim të procesit të votimit dhe shpalljes së fituesve, Asambleja e Përgjithshme zgjodhi duke mandatuar për periudhën 2022 – 2026: 

Kryetarin e Dhomës – Z. Tedi Malaveci.

Nënkryetarin – Z. Besmir Kodra.

Sekretarin e Përgjithshëm – Znj. Jonida Ujkashi.

7 anëtarët e Këshillit Drejtues:
Znj. Najada Beqaraj;
Z. Admir Beqiri;
Z. Alban Ruli;
Z. Bislim Sinaj;
Z. Fabio Isufaj;
Z. Ilia Elezi;
Z. Ilir Dervishaj.

Asambleja e Përgjithshme – Zgjedhore e 24 shtatorit, paraprin aktivitete të tjera të rëndësishme të Dhomës, që do të zhvillohen brenda këtij viti, si ai që do të organizojë Qendra Kombëtare e Trajnimit të Përmbaruesve për Trajnimin Vazhdues (2022) që do të ndjekin përmbaruesit gjyqësorë privatë.