Përmbaruesit u mblodhën së bashku, për të diskutuar të ardhmen e profesionit të tyre, përtej vështirësive të organizimit të një takimi në kohën e pandemisë.
Asambleja e Përgjithshme ndryshe nga vitet pararendëse të mbajtjes së punimeve, e zhvilloi analizën vjetore të veprimtarisë së Dhomës në formën e një retrospektive ngjarjesh dhe ushtrimit të profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat filluar nga viti 2011 deri në 2021.
Kryetari i Dhomës, z. Tedi Malaveci prezantoi nëpërmjet një retrospektive kronologjike, të gjitha problematikat, pengesat, qëndrimet dhe angazhimet e Dhomës përgjatë dhjetë viteve, në zhvillimin dhe mbrojtjen e profesionit dhe, në veçanti mbi ngjarjet e vitit 2021. Ai parashtroi një sërë faktesh dhe faktorësh që ndikuan direkt në performancën, zhvillimin, por dhe stanjacionin e profesionit të përmbaruesit që prej krijimit të tij (viti 2010). Një pjesë e rëndësishme e prezantimit dhe analizës së tij përmblidhet në fjalët”: Kolegë të nderuar, deviza shenjuese e mbledhjes së këtij viti është domethënëse po aq sa koha që po kalojmë. Koha që po kalojmë si profesion, si përmbarues, si pjesëtarë të kësaj shoqërie, që përveç pandemisë ka dhe 1 mijë problemet e saj që shpesh e bëjnë virusin jo aq “të frikshëm” kur na duhet të mbrohemi prej tij. Por le të mbetemi tek sfida e profesionit. Tek ky profesion që shumë prej nesh e kanë filluar 10 vite më parë. 1 dekadë nuk është pak, apo jo?! Por edhe pesë vite kush i ka kaluar në këtë “zanat” jam i sigurt që duhet t’i shumëzojë me dy ose me tre sa i përket aspektit të vështirësisë së një profesioni normal, ku kokëçarja dhe presioni i gjithanshëm nuk kanë këtë karakteristikë unike. Ne jemi i vetmi profesion në botë që duhet ta mbajmë peshoren e drejtësisë me vete kudo që shkojmë, dhe jo vetëm në zyrë, jashtë saj, sallë gjykate apo brenda në një dosje… por edhe në telefona ose në ndërgjegje, kur prehemi “qetë” në shtëpi… Po sot? –
Sot jemi përballë një udhëkryqi të madh …të asaj rruge që e kemi përçuar nga viti 2010… dhe të epokës që na pret pas këtij viti që po lëmë pas. Viti 2022 e përtej vjen me të panjohura jo vetëm për ne. Por për ne diçka është e sigurtë: Nuk do të jetë më si më parë, s’do të ketë më komunikim “klasik” me “letra” që çojmë apo dërgojmë… as asete klasike që sekuestrojmë. Jemi tashmë në epokën digjitale. Në epokën kur asetet apo konvertimi i tyre po bëhet jo vetëm në para dhe sende të sekuestrueshme, por në kriptovaluta që po mbulojnë si pa kuptuar me sisteme pagesash mbarë botën. Monedhat digjitale që sot po funksionojnë kudo, do të vijnë shumë shpejt edhe tek ne… atëherë kur transaksionet do të bëhen përmes përdorimit të kriptografisë. Shndërrimi i parasë klasike në atë elektronike dhe bërja e pagesave me metodën “blockchain” është shumë afër. Çdo të bëjmë pas kësaj… A jemi gati ne? A do të mundemi të vazhdojmë me metodën e vjetër? Kjo jo vetëm për shkakun teknologjik. Shkaqet e tjera që i njohim, i shohim përditë dhe që s’janë “kriptomonedha” do të doja t’i diskutonim së bashku – si arsyet e vërteta përse ndodhemi sot në udhëkryq… dhe m’andej të vendosim së bashku se ç’drejtim do të duhet të marrim kur të dalim prej tij.”
Në punimet e mbledhjes së Asamblesë i ftuar ishte edhe ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja, i cili në fjalën që mbajti para përmbaruesve, dha një mesazh të qartë, inkurajues dhe të drejtpërdrejtë për ta. Në një pjesë të spikatur të fjalës së tij ai tha: “Nga momenti i miratimit nga Kuvendi të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, nevojitej të dilnin një sërë aktesh nënligjore nga Ministria e Drejtësisë në zbatim të këtij ligji. Janë gati gjysma e tyre pa miratuar… E di, ka patur vonesa të cilat janë përgjegjësi që do ta ushtrojmë ne, sa më shpejt në bashkëpunim me ju. Ne si ministri, unë si ministër, do të angazhohemi dhe do të bashkëpunojmë me ju, se në fokus të punës sonë do të jetë lehtësimi i punës për përmbaruesit privatë dhe forcimi i shërbimit përmbarimor përfshirë atë shtetëror, për të cilin kemi propozuar edhe një ligj të ri në Parlament. Ne duam një shërbim përmbarimor të fortë në shërbim të qytetarëve. Me plotësimin e kuadrit ligjor në fuqi, do të kërkojmë të garantohen dhe realizohen në kohë dhe sa më mirë të drejtat e qytetarëve. Por dhe ju vetë si përmbarues gjyqësor privat duhet të luftoni për përmirësim e shërbimit, për rritjen e standardeve dhe cilësisë së ofrimin të tij dhe jo të shihni si sillet vërdallë shërbimi juaj apo një shtet i tërë nga kompani përmbarimore si “ZIG”, ku vijnë në ministri përditë njerëz dhe ankohen për pronat, për çështjet e tyre ndër vite dhe askush nuk mban përgjegjësi. Jeni ju të parët që duhet të ushtronit përgjegjësitë tuaja për një situatë që e njihni mirë, se është puna dhe figura juaj që nëpërkëmbet nga kompani të tilla, pastaj dhe shteti e institucionet së bashku. Ju vetë duhet të bashkëpunonit, të ngrinit zërin të parët, prej kohësh për këtë fenomen e kompani dhe të mos qëndronit pasivë duke pritur zgjidhjen…Unë si titullar i Ministrisë së Drejtësisë, shpreh gatishmërinë për të bashkëpunuar me Dhomën tuaj dhe do të vlerësoj çdo kërkesë, propozim dhe nismë që do të shtrohet për diskutim prej saj, pa shumë burokraci letrash dhe shkresash, për përmirësimin qoftë të kuadrit ligjor në fuqi, ashtu edhe të cilësisë së këtij shërbimit publik që duhet dhe do të ofrohet medoemos ndaj çdo qytetari të Republikës në nivelin më të lartë të mundshëm. Në këtë drejtim ju garantoj dhe premtoj se do të keni gjithë përkrahjen dhe inkurajimin tim”.
Asambleja e Përgjithshme, përgjatë mbledhjes së saj, analizoi situatën financiare të organizatës, vendosi dhe miratoi buxhetin e Dhomës për vitin 2022 si dhe vendosi mbi caktimin e kuotës vjetore të anëtarësisë. Asambleja zhvilloi një debat konstruktiv lidhur me propozime për disa ndryshime në Statutin e DHKPGJP-së për të cilat vendosi të vijonte analizën rreth tyre në mbledhjen e ardhshme. Në përfundim të punimeve u zhvillua procesi zgjedhor për plotësimin e dy vendeve vakante të organeve të reja drejtuese të DHKPGJP-së, atë nënkryetarit të Dhomës dhe një anëtari të Këshillit Drejtues.
Asambleja e Përgjithshme zgjodhi duke mandatuar deri në zgjedhjet e ardhshme, nënkryetarin e Dhomës, znj. Enirjeta Zisi dhe anëtarin e ri të Këshillit Drejtues, z. Admir Beqiri.