Në datat 26, 27 dhe 28 tetor 2022, në ambientet e hotel “Xheko Imperial”, Tiranë, Qendra Kombëtare e Trajnimit të Përmbaruesve organizoi një aktivitet trajnues 3-ditor me përmbaruesit gjyqësorë privatë. Trajnimi intensiv profesional u zhvillua në kuadër të Programit të Detyrueshëm të Trajnimit Vazhduespër vitin 2022.
Trajnimi i formimit vazhdues angazhoi përmbaruesit në një “cikël të plotë trajnimi” – njëditor prej 8 orësh/8 kredite, me dy sesione, paradite dhe pasdite, zhvilluar në formën e leksioneve të ofruara në mënyrë interaktive nga trajnerët e QKTP-së.
Lektorë të sesioneve trajnuese ishin profesorët e mirënjohur të “Procedurës civile”, z. Vangjel Kosta dhe z. Florjan Kalaja të cilët i shoqëroi profesoresha e “Etikës” në ofrimin e shërbimit publik, znj. Mimoza Manxhari.
Në ditët e trajnimit vazhdues, trajnerët e Qendrës bashkëbiseduan aktivisht me përmbaruesit mbi tematika të lidhura direkt me punën e tyre, ekzekutimin e detyruar dhe legjislacionin e shërbimit përmbarimor.
3 ditët e trajnimit intensiv u shërbyen përmbaruesve, jo vetëm për përmbushjen e detyrimit të kryerjes së trajnimit vazhdues sipas një programi të detyrueshëm, ndjekja e të cilit buron nga ligji nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, por veçanërisht për rritjen e njohurive dhe aftësive të nevojshme, për një performancë të suksesshme profesionale që i nevojitet secilit prej profesionistëve të fushës.
Qendra Kombëtare e Trajnimit të Përmbaruesve si institucioni përgjegjës për organizimin e Programit të Detyrueshëm të Trajnimit Vazhdues dhe certifikimin e përmbaruesve, pajisi pjesëmarrësit e këtij trajnimi me certifikatën e përfundimit me sukses të trajnimit vazhdues për vitin 2022.