Në vijim të dy takimeve konstruktive në nivel teknik dhe përfaqësimi, përgjatë muajve shtator-tetor 2022, më datë 31.10.2022 drejtori i Përgjithshëm i Drejtorisë së Përgjithshme të Parandalimit të Pastrimit të Parave, z. Ervin Koçi, vizitoi selinë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Z. Koçi u mirëprit në ambientet e selisë së Dhomës nga Kryetari, z. Tedi Malaveci, nënkryetari z. Besmir Kodra dhe anëtari i Këshillit Drejtues, z. Fabio Isufaj dhe zhvilloi bashkë me ta një takim shumë të rëndësishëm pune, sa i përket konsolidimit të marrëdhënies ndërmjet dy institucioneve dhe vendosjes së piketave bashkëpunuese në një nivel të ri mirëkuptimi brenda kuadrit ligjor në fuqi.
Drejtori i ri i DPPPP-së e konsideroi përmbaruesin gjyqësor privat një funksionar të respektuar që kryen një shërbim publik dhe vlerësoi nevojën që, për mbrojtjen e interesit madhor publik për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit, përmbaruesi të ishte një partner i DPPPP-së.
Angazhimi i marrë në datën 1.12.2021 mes DPPPP-së dhe Dhomës Kombëtare me lidhjen e marrëveshjes së bashkëpunimit, u dakordësua që të vijojë të respektohej dhe përmbaruesit të mos angazhoheshin në kërkesa të tjera me karakter administrativ që nuk përfshijnë termat dhe aneksin e marrëveshjes.
Drejtori Koçi theksoi në konsideratat e tij nevojën për të mos trajtuar në asnjë rast institucionin që drejton si organ represiv, por vetëm si bashkëpunëtor i cili përpiqet të përmbushë detyrimet që i burojnë nga ligji nr. 9917, datë 19.5.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit”, i ndryshuar.
Statusi i përmbaruesit gjyqësor privat dhe detyrimet e respektimit të ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” u diskutuan në një pjesë të rëndësishme të bisedës në takimin e zhvilluar mes përfaqësuesve të Dhomës dhe drejtuesit të DPPPP-së.
Në përfundim të takimit u dakordësua:
- për përmbushjen e detyrimit për raportim para DPPPP-së të përmbaruesit gjyqësor privat, sipas përcaktimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit dhe mundësimi/lehtësimi i raportimit në formë elektronike, duke krijuar edhe mundësinë e “aksesit raportues” direkt në faqen zyrtare të DPPPP-së, nga adresat elektronike zyrtare ose nëpërmjet SIAIP të përmbaruesve dhe krijimin e mundësisë së komunikimit direkt online me DPPPP-në, lidhur me çdo problematikë apo dyshime mbi transaksione që mund të përfshijnë pastrimin e produkteve të veprave penale, financimit të terrorizmit apo fonde që rrjedhin nga veprimtari kriminale;
- për caktimin e një përfaqësuesi të DHKPGJP-së në çdo inspektim në terren – zyra – të përmbaruesit gjyqësor, të cilat janë përcaktuar sipas analizave të inteligjencës financiare të kryera nga DPPPP, si subjekte që paraqesin rrisk dhe nevojë për t’u inspektuar;
- zhvillimin e një trajnimi orientues (online) për përmbaruesit nga inspektorët e DPPPP-së (brenda dhjetorit 2022) lidhur me mënyrën e trajtimit të masave tërësore që nevojiten të zbatohen nga përmbaruesit përgjatë aktivitetit të tyre profesional dhe monitorimin e marrëdhënieve me palët që mund të paraqesin një nivel rrisku për pastrimin e parave apo financimin e terrorizmit.
Drejtori i DPPPP-së, z. Koçi, dhe përfaqësuesit e Dhomës vendosën që marrëdhënien korrekte institucionale mes DPPPP-së dhe DHKPGJP-së ta ngrenë në një nivel bashkëpunimi më të lartë, ku subjektet e dy organizimeve të ndihen përveçse komodë në komunikime apo kontakte institucionale, edhe bashkëpunues komplementarë në realizimin e detyrave përkatëse sipas ligjeve reciproke, në shërbim të publikut.