Tiranë, 14 nëntor 2022

Në selinë e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë mblidhen organet drejtuese të Dhomës: Kryetari Tedi Malaveci, nënkryetari Besmir Kodra, sekretarja e Përgjithshme Jonida Ujkashi dhe Këshilli Drejtues (6): Alban Ruli, Ilia Elezi, Admir Beqiri, Bislim Sinaj, Najada Beqaraj dhe Fabio Isufaj.

Në mbledhje u diskutua dhe më pas anëtarët e Këshillit Drejtues vendosën me unanimitet mbi çështje që lidhen me profesionin e përmbaruesit gjyqësor privat dhe mbarëvajtjen e tij.

Këshilli Drejtues vendosi që kursi i parë 1-vjeçar i cili do të ndiqet përgjatë vitit 2023 pranë QKTP, nga kandidatët fitues, aspirantë për t’u licencuar si përmbarues gjyqësor privatë, pas procedurave të konkurrimit, do të ketë një tarifë regjistrimi prej 300 000 lekësh. Çdo aspirant për t’u licencuar si përmbarues duhet të mbulojë trajnimin e tij/saj me vullnet mësimor, por edhe duke mbuluar vlerën reale trajnuese profesionale. Për shtimin e vizibilitetit dhe afrimit të sa më shumë elementëve të rinj/juristë me pasion dhe aftësi për të hyrë në profesion, Këshilli vendosi të shtyjë afatin e aplikimit të kandidatëve dhe dorëzimit të dokumentacionit përkatës deri më 15.12.2022.

Një vendimmarrje tjetër e rëndësishme ishte analizimi i dhjetëra ankesave të kohëve të fundit, me tipologji të njëjtë dhe mbajtja e një qëndrimi zyrtar ndaj çështjeve me karakter publik, që prekin sensibilitete shoqërore. Fenomeni i “mbledhjes së detyrimeve financiare nëpërmjet mashtrimit të qytetarëve, shantazhit të tyre dhe përdorimit të praktikave që përvetësojnë titullin e përmbaruesit gjyqësor privat” mbetet një problem akut për gjithë shërbimin përmbarimor dhe imazhin e tij publik. Ankesat e shumta të analizuara nga Këshilli Drejtues sollën vendimin pasues të vendimmarrjeve të mëparshme të Këshillit deri në përfundim të fenomenit. Këshilli vendosi të autorizojë vazhdimin e detyrave të ngarkuara nga Këshilli Drejtues paraardhës, me vendimin e datës 8 tetor 2021 dhe vendimin e datës 28.2.2022.

Duke vlerësuar mundësitë dhe situatat aktuale që po kalon Dhoma, e angazhuar njëkohësisht në disa procese gjyqësore, më i rëndësishmi prej të cilëve është ai që zhvillohet më datë 23 nëntor 2022 në Gjykatën e Lartë (Kolegji Administrativ) lidhur me “Tarifat e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat”, Këshilli vendosi që për të kryer një analizë të plotë dhe shteruese vjetore mbi ecurinë dhe problematikat që po kalon Dhoma, përmbaruesit dhe vetë shërbimi përmbarimor gjyqësor privat nevojitet një kohë e përshtatshme punimesh përgatitore. Këshilli Drejtues caktoi si datë të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme vjetore datën 14.1.2023.

Klikoni në link për vendimin:

Vendim i Këshillit Drejtues