Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, zhvilloi punimet e saj ditën e enjte, datë 21 dhjetor në Tiranë, në Maritim Hotel Plaza – Tiranë.

Znj. Najada Beqaraj, z. Tedi Malaveci, zv.ministri z. Klajd Karameta, znj. Jonida Ujkashi, z. Besmir Kodra

Punimet e Asamblesë i përshëndeti zëvendësministri i Drejtësisë, z. Klajd Karameta, i cili përcolli në emër të Ministrisë së Drejtësisë një mesazh të qartë mbështetjeje dhe inkurajimi për vijimin e punës së Dhomës, shërbimit përmbarimor privat dhe aktivitetit të përmbaruesit në shërbim të qytetarit.  Asambleja i zhvilloi punimet për disa orë, në një atmosferë të hapur diskutimesh

mbi çështje të profesionit dhe problematikave të ushtrimit të tij. Kryetari i Dhomës, z. Tedi Malaveci, relatoi para Asamblesë së Përgjithshme mbi veprimtarinë e Dhomës përgjatë vitit 2023, duke paraqitur një panoramë të detajuar mbi problematikat, pengesat dhe “sfiduesit” e profesionit të përmbaruesit gjyqësor privat, jo vetëm jashtë organizatës, por edhe brenda saj.

Mbledhja e Asamblesë së DHKPGJP, tashmë me një traditë të konsoliduar të debatit demokratik, përcolli edhe këtë herë diskutime të forta dhe shprehje pa rezerva të mendimeve apo pikëpamjeve të kundërta, përfshirë kritika të ashpra për çështje të ndryshme të profesionit, etikës, drejtimit të organizatës etj.

Znj. Jonida Ujkashi

Sekretarja e Përgjithshme e Dhomës, znj. Jonida Ujkashi në diskutimin e saj, përcolli në emër të një grupi përmbaruesish propozimin se situata e krijuar, me ngjarjet e fundit dhe sfidat e profesionit kishte nevojë për një qëndrim publik të qartë dhe të shprehur të Asamblesë së Përgjithshme që u duhej drejtuar institucioneve dhe gjithë opinionit publik e mediatik.  Propozimi për mbajtjen e qëndrimit publik(Kliko), u votua unanimisht nga pjesëmarrësit në Asamble.

Znj. Evelina Bekteshi

Në të njëjtën frymë diskutimi, një nga anëtaret/përmbarueset më me eksperiencë të Dhomës, znj. Evelina Bekteshi, iu drejtua Asamblesë me një tjetër propozim, për mbajtjen e një qëndrimi unik zyrtar , ku asambleja duhej t’i drejtohej organeve të drejtësisë dhe Ministrisë së Drejtësisë,  për mbrojtjen e autoritetit të organeve drejtuese të Dhomës. Propozimi u kërkua që përveç formalizimit zyrtar nëpërmjet vendimit të noterizuar, të mbante edhe nënshkrimet e të pranishmëve brenda aktit. Asambleja votoi unanimisht propozimin e znj. Evelina Bekteshi dhe anëtarët e pranishëm nëpërmjet një xhesti solidarizimi unik, nënshkruan dokumentin e propozuar(Kliko).

Drejtuesit e Dhomës, përkatësisht nënkryetari, z. Besmir Kodra dhe sekretarja e Përgjithshme, znj. Jonida Ujkashi raportuan para Asamblesë nëpërmjet një analize të detajuar veprimtarinë financiare të Dhomës për vitin 2023, duke relatuar mbi situatën financiare të pagesave të detyrimit profesional të anëtarësisë për periudhën disavjeçare.

Z. Besmir Kodra

Buxheti i realizuar për vitin 2023 dhe projektbuxheti 2024, bashkë me propozimin për “Kuotën vjetore profesionale për vitin 2024” u miratuan me votim unanim nga të pranishmit në Asamblenë e Përgjithshme.

Asambleja vijoi punimet duke zhvilluar edhe procesin zgjedhor (votim i fshehtë) për plotësimin e 3 pozicioneve vakante për anëtar të Këshillit Drejtues të DHKPGJP.
Në përfundim të procesit të votimit dhe shpalljes së fituesve, Asambleja e Përgjithshme zgjodhi duke mandatuar nga radhët e saj 3 anëtarët:
1. Eqerem Spahiu
2. Resul Alushani
3. Elvin Hoxha
Punimet e Asamblesë u mbyllën me organizimin e një dreke festive fundviti për të gjithë pjesëmarrësit në ambientet e Maritim Hotel Plaza.

Galeria e fotove nga Maritim Hotel Plaza (Asambleja e Përgjithshme e Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë 2023)