L E T Ë R   E   P Ë R B A S H K Ë T

KRYEMINISTRIT TË SHQIPËRISË

Z. Edi RAMA

KRYEMINISTRIT TË KOSOVËS

Z. Albin KURTI

MINISTRIT TË DREJTËSISË SË SHQIPËRISË

Z. Ulsi MANJA

MINISTRES SË DREJTËSISË SË KOSOVËS

Znj. Albulena HAXHIU

UNIONIT NDËRKOMBËTAR TË PËRMBARUESVE GJYQËSORË

Z. Marc SCHMITZ,

President

Z. Jos UITDEHAAG,

Zëvendëspresident

_______________________________________________________________________

TË DASHUR KRYEMINISTRA TË SHQIPËRISË DHE KOSOVËS,

TË NDERUAR MINISTRA TË DREJTËSISË TË SHQIPËRISË DHE KOSOVËS,

Urojmë të lexoni dhe mirëkuptoni çfarë po dërgojmë të shkruar, ne Përmbaruesit Gjyqësorë Privatë të Shqipërisë.

Problemet dhe pamundësitë me të cilat ndeshemi në ushtrimin e detyrës dhe profesionit tonë janë të shumta, të shumëfishuara në Shqipëri nga viti 2019 e këtej: Tërmeti (2019), Pandemia (2020-2022), Lufta (Ukrainë-Rusi, 2022).

Ekzekutimi i vendimeve gjyqësore dhe zbatimi i drejtësisë së dhënë në letër, duke e jetësuar atë në interes të ekonomisë, shoqërisë e qytetarit, këto kohë po kthehet në një mision gati të pamundur. Jo vetëm nga rrethanat e jashtëzakonshme që po përjeton çdo profesion dhe individ, por edhe nga vetë qeveritë – ministritë tona.

Guxojmë ta pohojmë këtë në emër të të dyja organizatave, Dhomës së Shqipërisë dhe Odës së Kosovës, të paktën për një fakt konkret.

Legjislacioni në fushën e përmbarimit privat, në të dyja anët e kufirit, është reformuar, huazuar dhe përshtatur pothuajse 100% sipas praktikës më të mirë evropiane-perëndimore. Ligjet respektive, si ligji nr. 04/l-139 “Për procedurën përmbarimore” në Kosovë dhe ligji nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat” në Shqipëri, janë miratuar me asistimin direkt të ekspertizës së njëjtë franko-holandeze, misionit EURALIUS dhe të UIHJ-së (Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve Gjyqësorë).

Por të dyja ligjet, si në Kosovë ashtu dhe në Shqipëri, nuk janë zbatuar nga të dyja ministritë përkatëse në një element tejet të rëndësishëm, që për ne është themelor: nxjerrja e akteve nënligjore për veprimtaritë dytësore/plotësuese të përmbaruesit privat.

Ligji nr. 04/l-139 “Për procedurën përmbarimore”, miratuar që në vitin 2013 nga Kuvendi i Kosovës, parashikon në nenin 344 nxjerrjen e akteve nënligjore përkatëse nga ministri i Drejtësisë për kryerjen e aktiviteteve si, “mbledhja e detyrimeve nga të tretët”, e ashtuquajtur veprimtaria “collection”, apo bërja e konstatimit të fakteve “konstatimi” nga përmbaruesi privat.

Për 9 vite me radhë, Ministria e Drejtësisë së Kosovës nuk gjeti as kohën dhe as vullnetin t’i miratonte këto akte!

Ligji nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, miratuar në korrik 2019 nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikon në nenin 2 “Fusha e zbatimit” veprimtaritë dytësore, që kryhen nga përmbaruesi gjyqësor privat si, “kryerja e njoftimit të akteve”, “kryerja e mbledhjes së detyrimeve financiare me mirëkuptim”, “konstatime të fakteve” dhe “kryerja e shitjes së sendeve në ankand publik me kërkesë të të interesuarve”.

Për 2 vite e 8 muaj të plotë, Ministria e Drejtësisë së Shqipërisë nuk gjeti as kohën, as vullnetin për të miratuar këto katër akte!

  • Përse në të dyja anët e kufirit, qeveritë tona refuzojnë të zbatojnë ligjin, kur vetë janë protagoniste të miratimit të tij?
  • Përse në të dyja anët e kufirit, aktivitetin “collection” që ligji autorizon përmbaruesin ta kryejë, qeveritë tona lejojnë ta kryejnë barakat financiare anonime, pa licencë dhe jashtë çdo kontrolli shtetëror?
  • A është kjo një neglizhencë burokratike apo interesa të errët të natyrës financiare favorizojnë mosrespektimin e standardit ligjor evropian në vendet tona?

Kjo letër drejtohet për vëmendje dhe me pyetje shtesë edhe për Organizatën Ndërkombëtare që na përfaqëson, UIHJ-në, veçanërisht për dy drejtuesit kryesorë të saj:

Të dashur drejtues të UIHJ-së,

  • A është normale kjo që ndodh në Shqipëri dhe Kosovë, sa i përket “harresës” disavjeçare qeveritare, për të mos lejuar që përmbaruesit t’i shërbejnë Publikut, Ligjit dhe Ekonomisë?

Ju lutemi dhe në pritje të një reagimi ndërkufitar, por edhe ndërkombëtar, duke uruar që përgjigjja ndërministrore të mos vonojë edhe më shumë, për zbatimin e ligjit në të dy vendet tona, ju urojmë punë të mbarë ministrave dhe kryeministrave të Shqipërisë dhe Kosovës!

DHOMA KOMBËTARE E PËRMBARUESVE GJYQËSORË PRIVATË

SHQIPËRI – TIRANË 21 MARS 2022

(Shkarkoni Letrën këtu)