Bazuar në vendimmarrjet e mbledhjes së Këshillit Drejtues të Dhomës, mbajtur në datë 24.8.2022, u vendos të thirret mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme.
Këshilli Drejtues i Dhomës vendosi që të thirret Asambleja e Përgjithshme, për të mbajtur së bashku një qëndrim zyrtar, mbi vendimmarrje të caktuara apo mungesë vendimmarrjesh të organeve shtetërore që kanë ndikim të drejtpërdrejtë në funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat.
Organi më i lartë i përfaqësimit dhe vendimmarrjes së Dhomës është Asambleja e Përgjithshme dhe është ajo që duhet të diskutojë, vendosë dhe miratojë lidhur me çdo qëndrim apo akt zyrtar të nevojshëm që duhet nxjerrë për mbarëvajtjen e veprimtarisë së përmbaruesve dhe mbrojtjen e interesave të ligjshme të Shërbimit Përmbarimor Gjyqësor Privat.
Këshilli Drejtues i Dhomës kërkoi që të thirret mbledhja e Asamblesë së Përgjithshme edhe për zgjedhjen e organeve të reja drejtuese të Dhomës dhe sekretarit të Përgjithshëm, në përfundim të mandatit të organeve drejtuese aktuale.
Sa më sipër, në cilësinë e kryetarit të Dhomës, bazuar në nenin 20 dhe 21 të “Statutit të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë”, si dhe në “Rregulloren e mbledhjeve të Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë”,
NJOFTOJ
Thirrjen e mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë.
Mbledhja do të zhvillohet ditën e shtunë, më datë 24.9.2022, ora 11:00, në Sallën eKonferencave pranë Ministrisë së Drejtësisë.
Mbledhja do të zhvillohet me këtë rend dite:
1. Diskutime dhe vendimmarrje lidhur me nxjerrjen e udhëzimit të përbashkët nr. 17, datë 20.6.2022 “Për përcaktimin e uniformitetit minimal të standardeve procedurale për mbledhjen e detyrimeve të taksave e tarifave vendore” të ministrit të Financave dhe Ekonomisë dhe të ministrit të Brendshëm.
2. Diskutime dhe vendimmarrje lidhur me zbatimin e ligjit nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, mbi aplikimin e veprimtarive dytësore që kryhen nga përmbaruesi gjyqësor privat.
3. Kryerja e procesit të zgjedhjes së organeve drejtuese të Dhomës dhe sekretarit të Përgjithshëm.
Ky njoftim u komunikohet menjëherë përmbaruesve gjyqësorë privatë, anëtarë aktivë të Dhomës dhe publikohet në faqen zyrtare të Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, sot në datën 8.9.2022.
Stafi administrativ i Dhomës të marrë masat e duhura për njoftimin e anëtarësisë, publikimin e njoftimit dhe mbarëvajtjen e procesit përgatitor të zhvillimit të mbledhjes së Asamblesë së Përgjithshme, në bashkëpunim me strukturat përgjegjëse të Ministrisë së Drejtësisë, deri në përfundimin me sukses të saj.
KRYETARI I DHOMËS
TEDI MALAVECI