Tiranë, 14 janar 2023 në Ministrinë e Drejtësisë përmbaruesit mbajtën asamblenë e tyre vjetore. Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, u bë pjesë shumë aktive e këtij eventi të rëndësishëm, me fjalën dhe mesazhet e tij, në një kohë veçanërisht të vështirë për shërbimin e përmbarimit gjyqësor privat.

Ministri Manja shprehu në diskutimin e tij nëpërmjet një analize të detajuar, dijeninë e plotë rreth problemeve, mangësive dhe shqetësimeve të përmbaruesit privat shqiptar, të reja dhe të akumuluara ndër vite. Po ashtu, ceku duke shpalosur edhe opinionin e tij rreth problematikave të fundit të organizatës që i përfaqëson përmbaruesit gjyqësorë privatë, Dhomës Kombëtare.

Qëndrimi i ministrit u shpalos qartë në disa momente të rëndësishme të diskutimit të tij, kur përcolli mesazhe të qarta mbi nevojën imediate për fillimin e një historie të re bashkëpunimi dhe partneriteti mes Dhomës, përmbaruesve gjyqësorë privatë dhe Ministrisë së Drejtësisë, duke hedhur tej mosmarrëveshjet e së kaluarës.

Ministri Manja, si akt të parë konkret bashkëpunimi, njoftoi krijimin e grupit të përbashkët të punës me 4 përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë dhe 4 përfaqësuesve të Dhomës, për përpilimin e materialit analizues dhe projektakteve udhëzuese lidhur me tarifat kryesore dhe ato dytësore të shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat. 

Ministri Manja përfundoi mesazhin e tij, duke siguruar se përmbaruesin privat, Dhomën dhe vetë shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, tashmë me rivendosjen e urave të reja të bashkëpunimit, do ta konsiderojë si aleat të tijin të përditshëm, derisa ky shërbim publik të arrijë suksesin e plotë, të dëshiruar.

Asambleja e Përgjithshme, pas diskutimit të veçantë të hapur dhe shumë bashkëpunues të ministrit Manja, ndryshoi projeksionin e mbledhjes, duke mos renditur raport-analizën e vitit 2022 dhe angazhimet “2023” referuar situatës së kaluar. 

Kryetari i Dhomës, z. Tedi Malaveci, në diskutimin e tij dha një mesazh të qartë për anëtarësinë me fjalët: “Le të fillojmë një histori të re, të gjithë së bashku dhe t’i drejtohemi vektorit të suksesit me një qasje krejtësisht ndryshe, asaj të bashkëpunimit, mirëkuptimit dhe dëshirës për ta ringritur me çdo kusht këtë profesion… Ndasitë me “Ministrinë” përfundojnë sot, ato me njëri-tjetrin nuk kanë përse ekzistojnë më. Të gjithë, pa asnjë përjashtim, le të kontribuojmë dhe “ndërtojmë” aktet e reja, që do na hapin një rrugë të sigurt për të suksesuar të ardhmen.”

Në vijim, Asambleja mori disa vendime të rëndësishme:

  • U zgjodhën me votim sipas propozimeve konkrete mes kolegësh, 4 anëtarët, përfaqësues të Dhomës në Grupin e Punës të krijuar nga ministri i Drejtësisë, për draftimin e akteve nënligjore: Tedi Malaveci, Besmir Kodra, Gentian Strati dhe Najada Beqaraj.
  • U vendos të rifillojë puna e pezulluar e shërbimit përmbarimor gjyqësor privat, referuar akteve nënligjore në fuqi, deri në daljen e aktit të ri, udhëzimit “Për caktimin e tarifave për shërbimet e ofruara nga shërbimi përmbarimor gjyqësor privat”, i cili do të parashikojë në dispozita tranzitore edhe parashikime konkrete lidhur me kontraktimet e kryera nga data 16.1.2023.
  • U vendos të miratohet projektbuxheti 2023 dhe realizimi i buxhetit për vitin 2022, duke vendosur të njëjtin nivel të kuotës profesionale, ashtu si për vitin 2022.
  • Me propozimin e anëtarit Eqerem Spahiu, Asambleja vendosi të mbajë një qëndrim publik për çdo ngjarje që lidhet me shërbimin përmbarimor gjyqësor privat, me figurën e përmbaruesit, profesionit, duke nisur me ngjarjen e fundit, që lidhet me arrestimin e një prej kolegëve të organeve drejtuese të Dhomës.

Mbledhja e Asamblesë së datës 14.1.2023 përfundoi duke përçuar tek anëtarësia një ndjenjë të re solidariteti, shprese dhe optimizmi, premisë kryesore për suksesin e profesionit.