Unioni Ndërkombëtar i Përmbaruesve Gjyqësorë (UIHJ), organizata që përfaqëson përmbaruesit e 94 vendeve të botës i ka thënë “JO” ndryshimeve të propozuara nga Ministria e Drejtësisë për ligjin nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.

Në një Letër Zyrtare të datës 14 nëntor 2024, UIHJ i transmetoi Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama dhe ministrit të Drejtësisë Ulsi Manja, shqetësimet specifike për ndryshimet e synuara të ligjit. Më kryesori, evidenton kundërshtitë e draftit me objektivat e integrimit të Shqipërisë në BE.

Dhoma, nga ana e saj, ka dërguar një oponencë të detajuar ligjore, duke kundërshtuar çdo nen të draftit të paraqitur për mendim nga Ministria e Drejtësisë.

Komiteti shkencor i UIHJ, aty ku BE dhe KE gjen ekspertizën e saj sa i përket përmbarimit dhe ekzekutimit të detyruar; aty ku u prodhua Kodi Global i Ekzekutimit të Detyruar / Global Code of Enforcement, analizoi projektaktin e Ministrisë së Drejtësisë dhe oponencën e Dhomës. Qëndrimi zyrtar i UIHJ iu dërgua autoriteteve shqiptare në emër të UIHJ, nga Presidenti Marc Schmitz.

Me gjithë dy qëndrimet zyrtare të UIHJ dhe DHKPGJP, në platformën qeveritare “Regjistri elektronik për njoftimet dhe konsultimet publike”, është publikuar projektakti dhe relacioni shoqërues për ndryshime në ligjin nr. 26/2019 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”.

Projektligji nuk ishte parashikuar në programin e përgjithshëm analitik të projektakteve, që do të paraqiteshin nga qeveria për shqyrtim gjatë vitit 2024. Arsyeja e bërjes së tij jashtë programit, u justifikua nga Ministria e Drejtësisë “për shkak të domosdoshmërisë për zgjidhjen e problematikave që janë hasur në praktikë”.

Praktika e 5 viteve të fundit kryqëzoi dy fakte: 1- Bllokimin e nxjerrjes së tarifave të shërbimit përmbarimor privat dhe izolimin e tij nga qeveria shqiptare me 2- Lejimin e përmbarimit mikrofinanciar të lulëzojë brenda kontrollit shtetëror.

Këto dy problematika nuk mund të zgjidhen me propozime hibride si ato që paraqet projektakti: “caktimi i një përmbaruesi gjyqësor shtetëror zëvendësues në vend të një përmbaruesi privat” apo “dhënia në kompetencë ministrit të vendosë disa masa disiplinore, sikur të ishte komision disiplinor ose dhënia e tyre vetë, jashtë procesit disiplinor.”

Letra e UIHJ dhe qëndrimi oponent i DHKPGJP nuk janë vetëm kundër projektaktit, por edhe kundër faktorëve dhe aktorëve që pengojnë integrimin në BE të Shqipërisë.