Në 23 dhjetor 2024, në Tiranë u mbajt “Forumi i parë i profesioneve të lira”, organizuar nga katër Dhomat Kombëtare të Avokatisë, Përmbarimit, Ndërmjetësimit dhe Noterisë. Në 20 dhjetor 2024, katër drejtuesit e Dhomave më të mëdha të profesioneve të lira juridiko-ligjore nënshkruan mes tyre një memorandum bashkëpunimi, për t’i dhënë një status të ri secilit profesion përballë ndërgjegjësimit publik. Kjo marrëveshje i parapriu nismës për mbledhjen e Forumit tri ditë më pas.

Nën kujdesin e prof. dr. Maksim Haxhisë, kryetar i Dhomës Kombëtare të Avokatisë, dhe z. Tedi Malaveci, kryetar i Dhomës Kombëtare të Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë, u thirr “Forumi I i profesioneve të lira të Shqipërisë”, një nismë që mblodhi në hotel “Tirana International” në kryeqytet, avokatët, përmbaruesit gjyqësorë privatë, noterët, ndërmjetësit, të cilëve iu bashkuan organizata të profesioneve të lira, si IEKA (Instituti i Ekspertëve Kontabël të Autorizuar), Urdhri i Mjekut, Urdhri i Psikologut, Shoqata e Përkthyesve, NAREA (Ndërmjetësit e Pasurive të Paluajtshme) etj.

Aktiviteti u zhvillua në një ambient të mbushur me profesionistë të fushës juridike, me moderimin e prof. asoc. Ersida Teliti, lektore pranë Fakultetit të Drejtësisë, Universiteti i Tiranës. Nisma u prezantua nga organizatorët e forumit, z. Maksim Haxhia dhe z. Tedi Malaveci.

Në fjalën e tij prezantuese, z. Haxhia vuri theksin se ky hap i parë duhet të ndiqej nga një tjetër, krijimi i një unioni të përbashkët, ku të futeshin të gjitha organizatat dhe shoqatat e profesioneve të lira në Shqipëri. Hap që kërkonte një formalizim ligjor dhe statut të përcaktuar e të pranuar nga të gjithë ata që do ta përqafonin këtë nismë.

Z. Malaveci në fjalën e tij vuri theksin se janë mbi 10 mijë profesionistë të lirë në Shqipëri dhe se ata duhen respektuar. Ai dërgoi një thirrje miqësore nga foltorja e forumit “Për ndërgjegjësimin qeveritar mbi rëndësinë e profesioneve të lira në Shqipëri”.

Forumi u përshëndet nga kryetari i KLGJ (Këshilli i Lartë Gjyqësor), z. Ilir Rusi, dhe Avokati i Popullit, znj. Erinda Ballanca. Të dy drejtuesit e këtyre organizmave të rëndësishëm të sistemit të drejtësisë e përshëndetën dhe përkrahën iniciativën e katër profesioneve të lira ligjore dhe inkurajuan vijimin e saj me të tjera hapa konstruktivë, duke theksuar misionin e veçantë që kanë profesionistët e lirë ligjorë për sistemin e drejtësisë dhe jo vetëm.

Në emër të ministrit të Drejtësisë, përshëndeti forumin z. Tedi Dobi, zv.ministri i Drejtësisë, i cili inkurajoi krijimin e një komuniteti më të gjerë me profesionistë të fushës së shërbimeve ndaj drejtësisë dhe shërbimeve të tjera të lira. Z. Dobi përcolli mbështetjen e Ministrisë së Drejtësisë për aktivitetin dhe hapat pasues që do ta ndjekin atë në ndihmë të forcimit të profesioneve të lira dhe shërbimit ndaj qytetarëve.

Jos Uitehaag, me cilësinë e zv.presidentit të UIHJ (Organizata Botërore e Funksionarëve Gjyqësorë), përshëndeti forumin në emër të UIHJ duke theksuar në veçanti rolin e përmbaruesit gjyqësor brenda sistemeve të drejtësisë, unioneve dhe organizatave me ndikim të spikatur në botë dhe veçanërisht në Evropë.

Forumi vijoi me referime të të katër përfaqësuesve të Dhomave organizatore lidhur me aktivitetet dhe profesionet specifike.

Për temën “Roli i avokatit në garantimin e të drejtave të qytetarëve” referoi avokati Maksim Haxhia. Për temën “Noteri si garantor i sigurisë juridike” referoi noterja Gentina Brati. Për temën “Zgjidhja alternative e mosmarrëveshjeve si mjet për një drejtësi më efikase” referoi ndërmjetësja Alketa Elezi dhe për temën “Përmbarimi midis ligjit dhe ekonomisë” referoi përmbaruesi Tedi Malaveci.

Forumi i dha një hapësirë të lirë debatit dhe shprehjes së ideve dhe mendimeve, të ftuarve nga profesionet e tjera të lira dhe të pranishmëve. Z. Berti Pasho, kryetar i Këshillit Drejtues të IEKA, z. Fatmir Brahimaj, president i Urdhrit të Mjekëve, dhe znj. Valbona Treska, presidente e Urdhrit të Psikologut, paraqitën një sërë problematikash të profesioneve që përfaqësonin dhe i dhanë përkrahjen e plotë iniciativës së formimit si hap i parë që duhej të ndiqej nga të tjera mbledhje deri në krijimin e një organizate të përbashkët përfaqësuese për përfaqësimin e të gjitha profesioneve të lira.

Në përfundim të diskutimeve, forumi arriti në konkluzionin e daljes me një rezolutë të përbashkët të katër profesioneve të lira ligjore, organizatorë të këtij aktiviteti, ku u vendos theksi mbi një angazhim me 5 pika: 

  • Për të promovuar një bashkëpunim të vazhdueshëm dhe të qëndrueshëm mes të gjitha profesioneve të lira ligjore në Shqipëri;
  • Për të identifikuar dhe adresuar sfidat e përbashkëta me të cilat përballen profesionistët e të katër profesioneve ligjore në vend;
  • Për të ngritur një platformë të përhershme të dialogut dhe bashkëpunimit midis përfaqësuesve të profesioneve të lira ligjore;
  • Për të bashkuar zërin në përfaqësimin publik për të mbrojtur dinjitetin e profesioneve të lira ligjore;
  • Për të kërkuar nga institucionet shtetërore dhe legjislative politika mbështetëse dhe reforma të qëndrueshme për garantimin e pavarësisë dhe efikasitetit të profesioneve të lira juridike-profesionale në vend.

Në mbyllje të forumit të parë, u vendos që brenda muajit shkurt 2025 të organizohet thirrja e një forumi më të gjerë profesionistësh nga të gjitha profesionet e lira, me synimin e krijimit të një unioni të përbashkët me një formë juridike të përcaktuar dhe të regjistruar në organet gjyqësore.

Forumi i parë i profesioneve të lira në Shqipëri përfundoi me sukses punimet duke hedhur gurët e themelit dhe duke i hapur rrugën një iniciative akoma më të madhe dhe të rëndësishme në fillimvitin 2025, krijimit të “Unionit të Profesioneve të Lira të Shqipërisë”.