Në vështrimin historik, legjislacioni mbi ekzekutimin e vendimeve gjyqësore ka njohur rrugën e vet të zhvillimit dhe të transformimit që nga krijimi i shtetit të pavarur shqiptar deri në ditët e sotme. Ai ka pësuar ndryshime në varësi të zhvillimeve ekonomike, shoqërore, politike ideologjike etj. Shpallja e pavarësisë më 28 Nëntor 1912, shënoi fillimin e një etape të re historike në procesin e formimit të shtetit dhe të së drejtës shqiptare dhe bashkë me to dhe ngritjen e një legjislacioni mbi ekzekutimin e vendimeve gjyqësore, mënyrat e ekzekutimit të tyre si dhe institucionet përkatëse.
Historiku i krijimit të shërbimit të përmbarimit gjyqësor privat, si aktivitet funksional, daton që në vitin 1915, dy vite pas krijimit të shtetit shqiptar. Në vitet 1915-1916, në zonat e pushtuara nga Italia (Vlorë, Gjirokastër etj.) çështjet civile gjykoheshin nga gjykatat fetare. Përmbarimi i akt-gjykimeve (vendimeve) të këtyre gjykatave i ngarkohej kryetarit të kësaj gjykate. Është interesant fakti i rëndësisë që merrte ky profesion në atë kohë, ku kërkesa ligjore për autoritetin, i cili do të duhej të lejohej të përmbarimore akt-gjykimet përmbante shumë komponentë si: aftësitë morale, juridike, diplomë universiteti, ose vërtetim se “kandidati ka vepruar së paku 10 vjet si avokat“.
Përgjatë viteve, 1915-1917-1922-1924-1925-1928, aktiviteti përmbarimor privat dokumentohet në shumë shkresa (të ruajtura deri sot nga arkiva e shtetit), si një veprimtari, që zhvillohej nga një zyrë e posaçme, e cila i drejtohej Ministrisë së Drejtësisë së asaj kohe me terminologjinë: “përmbarimi paguhet nga të interesuarit dhe jo nga arka e shtetit”. Miratimi i legjislacionit civil në 1929, nga qeveria e Zogut u shoqërua edhe me plotësimin e ligjit të përmbarimit.
Ndryshimet e bëra me ligjin datë 5.1.1934, njihnin si alternativë të ekzekutimeve që kryente përmbaruesi edhe burgimin për disa kategori debitorësh. Po ky ligj përmirësohet edhe më tej me ligjin datë 9.8.1937 “Mbi përmirësimin e dispozitave procedurale dhe të ligjit të përmbarimit në fuqi”. Periudha e pushtimit nazifashist nuk u shoqërua me ndryshime rrënjësore në strukturat gjyqësore, thjesht u përshtatën nga ana procedurale me kërkesat e pushtuesve.
Pra, të dhënat e shërbimit të përmbarimit gjyqësor me baza private, kanë një gjenezë historike të lavdërueshme po të konsiderojmë faktin se vetë shteti shqiptar është vetëm në moshë 102-vjeçare.
Në vitet e sistemit monist-komunist, ky shërbim u vendos në funksionin shtetëror të kohës, në varësi direkte të gjykatave të shtrira në bazë rrethesh në të gjithë territorin e Shqipërisë. Natyrisht, nga viti 1945 deri në vitin 1991, kur sistemi komunist komandonte regjimin shtetëror, përmbarimi në baza private ashtu si çdo iniciative tjetër private, nuk lejohej të ekzistonte për shkak të regjimit të kohës.
Si organe përmbarimore të viteve 1944-1951: konsideroheshin seksionet e drejtësisë, të krijuara nga qarkore e organeve të reja të pushtetit popullor. Këto seksione natyrisht, nuk kryenin veprimtari të mirëfilltë përmbarimore; ato nuk shpreheshin për titullin e pronësisë, por zgjidhnin vetëm problemin e rivendosjes në posedim.
Ligje të viteve 1951 dhe 1968 rregulluan disi procedurat përmbarimore, por i vendosën ato totalisht nën varësinë e gjykatave popullore të rretheve, të cilat kontrolloheshin plotësisht nga kryetari i gjykate, duke zhdukur kështu tërësisht autonominë procedurale të një përmbaruesi gjyqësor.
Në fillimin e viteve ’90, kur Shqipëria ndryshoi regjimin nga ai komunist njëpartiak, në regjim demokratik i cili filloi epokën e pluralizmit, çështja e pavarësisë së gjykatave u shtrua në një rrafsh të gjerë dhe mbi baza reale. Vetë pranimi i parimit të ndarjes së pushteteve, si një nga shtyllat mbështetëse të organizimit të shtetit demokratik, do të thoshte heqje dorë nga pranimi i epërsisë së një pushteti ndaj të tjerëve. Kjo, krahas zhdukjes së monopolit politik të një partie dhe mbikëqyrjes së rreptë të saj edhe mbi gjykata, u hap rruga për një pavarësi efektive nga ana e pushtetit gjyqësor.
Megjithëse përmbarimi privat ishte një veprimtari e njohur nga legjislacioni i vjetër shtetëror shqiptar, që prej vitit 1991 deri në 2001, shërbimi përmbarimor mbeti në varësi direkte të gjykatave të rretheve, si shtojcë ekzekutive e veprimtarisë së tyre.
Vetëm në vitin 2001 miratohet për herë të parë një ligj organik për organizimin dhe funksionimin e shërbimit përmbarimor gjyqësor shtetëror i cili trajtoi në mënyrë të veçantë këtë shërbim, i cili funksionon edhe sot si i tillë: autonom dhe i pavarur nga hallkat e sistemit gjyqësor, por në varësi direkte hierarkike dhe të centralizuar nga Ministria e Drejtësisë.
Me krijimin e tij, shërbimi i përmbarimit shtetëror pati 113 përmbarues të ndarë në zyra juridiksionale të veçanta sipas gjykatave, në të gjithë territorin e vendit. Sot ky shërbim është përgjysmuar në numrin e tij (rreth 60) për shkak të epërsisë që krijoi dalja e ligjit për shërbimin e përmbarimit privat në vitin 2008.
Shqipëria iu bashkua Këshillit të Evropës në 13 korrik 1995. Që prej asaj kohe një prej pikave të cilit i referoheshin vazhdimisht raport-progreset ndërkombëtare në angazhimin dhe aspiratën e shtetit shqiptar për t’u anëtarësuar në Bashkimin e Evropian (EU), ishte ekzekutimi i vendimeve gjyqësore, apo titujve ekzekutivë.
Në nëntor 2004 u hartua “Plani kombëtar i veprimit mbi rregullimin e sistemit të drejtësisë”, ku u parashikua që në periudhën 2005-2007 të përafrohej edhe legjislacioni mbi shërbimin e ekzekutimit të vendimeve gjyqësore duke ndjekur një strukturë të bazuar mbi standardet ndërkombëtare dhe ato të BE-së, nëpërmjet krijimit të shërbimit të dyfishtë (double track system): shërbimit publik shtetëror (ekzistues) dhe atij privat. Ekspertët më të mirë vendas së bashku me ata të huaj (misionit EURALIUS), patën punuar prej disa vitesh dhe pas një pritje të gjatë (që prej 2005) “e detyruan” qeverinë shqiptare të dërgojë në Kuvendin e Shqipërisë në vitin 2008, ligjin nr.10 031 “Për shërbimin përmbarimor gjyqësor privat”, i cili u miratua.
Së bashku me ligjin, specialistët vendas dhe të huaj duke parashikuar specifikat e këtij shërbimi të ri në realitetin shqiptar, përcaktuan edhe tarifat financiare që do të përdoreshin nga operatorët përmbarimorë për këtë qëllim. Këto tarifa, u detajuan në udhëzimin nr. 1240/5 të datës 15.9.2009, i cili u miratua nga Ministria e Financave dhe e Drejtësisë, ndërkohë që vetëm në shtator 2010 u licencuan 62 përmbaruesit e parë gjyqësorë privatë pas një konkurrimi publik të mbikëqyrur nga ministri i Drejtësisë. Konkurrimi i zhvilluar gusht 2010, ku pothuajse 95% e konkurrentëve vinin nga radhët e përmbarimit shtetëror, testoi njohuritë juridike specifike dhe licencoi 62 juristë, me titullin e përmbaruesit gjyqësor privat, të cilët pas një betimi ceremonial dhe solemn, filluan aktivitetin e tyre.
Megjithëse tre vite me vonesë nga parashikimi, shërbimi përmbarimor privat filloi punën dhe në vitet 2011-2012 dha rezultatet e para pozitive të funksionimit të tij.
Sugjerimi i ekspertëve të BE-së funksionoi kur rezultatet e përmbarimit privat treguan se “… e njëjta trupë njerëzore profesionistësh po të motivohej financiarisht dhe privatisht do të jepte rezultat tjetër edhe sikur të krahasohej me vetveten kur punonte nën struktura dhe pagesa thjesht shtetërore”.
Me marrjen e 62 licencave të para, përmbaruesit gjyqësor privatë krijuan Dhomën Kombëtare të Përmbarueseve Gjyqësorë Privatë në tetor 2010. Ata miratuan Statutin e parë të kësaj Dhome dhe zgjodhën organet drejtuese të saj. Kryetari i parë i kësaj organizate ka qenë z. Petrit Qarri, i cili e përfaqësoi Dhomën për një mandat 4-vjeçar (2010-2014). Kryetari i Dhomës në vijim është z. Tedi Malaveci, i cili ka përfaqësuar organizatën në 8 vitet e fundit (2014-2022) duke u rikonfirmuar në drejtimin e saj dhe për mandatin 2022-2026. Përgjatë 10 viteve numri i përmbaruesve gjyqësorë aktivë është rritur nga 62 në 150 dhe aktualisht janë 144 përmbarues gjyqësorë privatë, të cilët ushtrojnë aktivitetin e tyre në gjithë territorin e Shqipërisë.
Dhoma Kombëtare e Përmbaruesve Gjyqësorë Privatë që prej vitit 2012 është anëtare me të drejta të plota në “Organizatën Botërore të Përmbaruesve Gjyqësorë” (UIHJ).